Ndodhte si sot 32 vjet më parë - e premte 11 janar 1985, në Tiranë binte borë. 

Janari i vitit 1985 është një prej muajve më të ftohtë te regjistruar në kontinentin Europian në shekullin e kaluar. Vala e të ftohtit fillonte në Europën Perëndimore rreth datës 4-5 janar dhe do të përhapej më pas në të gjithë kontinentin duke prekur kështu edhe vendin tonë. Bora do të mbulonte gjithë vendin dhe më 11 janar gjithashtu kryeqytetin. Edhe pse nuk dihet me siguri për shkak të mungesës së arkivave online, temperatura minimale rekord e regjistruar në Tiranë mendohet ti përkasë janarit të vitit 1985 me një vlerë prej rreth -12°C.

Bora e 11 janarit të vitit 1985 është padiskutim eventi meteorologjik më i rëndësishëm i dimrave të dekadave të fundit në Shqipëri. Reshjet e borës do të mbulonin zonat bregdetare gjithashtu, qytete si Durrësi e Saranda, e cila jo më larg se dje, shënoi rikthimin e borës pikërisht pas 32 vitesh.

Harta e mësipërme është një rianalizim kompjuterik i kushteve meteorologjike në hemisferën veriore të atyre ditëve të janarit 1985. 

Në të gjithë Europën thyheshin rekorde - prej borës në Londër, tek temperatura -12°C në Paris, prej borës në ishujt Baleare deri tek bora e ashtuquajtur "e shekullit" në Italinë veriore dhe në Romë.

Evente të tilla meteorologjike nuk janë të shpeshta dhe për rrjedhojë lenë gjurmë. E tillë me siguri do të konsiderohet në librat e historisë edhe vala e të ftohtit e javës së fundit, por për të do të sjellim një përmbledhje të detajuar ditët në vijim.

 

Burimi: MeteoTirana, foto Adi Darsi (pasqyre.al)

 

© 2017 MeteoTirana

07/01/2017  

Mbrëmjen e së enjtes rrymat e ftohta me origjinë arktiko-kontinentale prekën vendin tonë dhe do të vazhdojnë të na shoqërojnë edhe për disa ditë. Me uljen graduale të temperaturave, reshjet të cilat shoqëronin vendin tonë prej tanimë 3 ditësh u shndërruan në reshje bore edhe në disa zona të ulta të vendit. Ajo çka çuditi shumëkënd ishte fakti se reshjet e borës prekën zona bregdetare si qyteti i Durrësit, por munguan në kryeqytet duke zhgenjyer mjaft njerëz të cilët kishin pritshmëri falë sensacionalizmit mediatik të ditëve të fundit, fatkeqsisht.

Në fakt, në aspektin shkencor të ngjarjes nuk ka ndodhur asnjë çudi. Bërthama e të ftohtit formuar mbi rajonin ballkanik u tërhoq prej qendrës së presionit të ulët në lëvizje të ngadaltë drejt lindjes. Ajri i ftohtë hyri mbi detin Adriatik, ashtu siç pritej, nga veri/verilindja dhe në vendin tonë nga veriperëndimi, tërhequr nga qendra e presionit të ulët në largim.

Siç tregon imazhi i mëposhtëm (temperatura në 850hPa ose 1500m e orës 23 të së enjtes), ndërkohë që qendra e presionit të ulët tanimë e gjendur mbi detin Egje lëvizte në drejtim të lindjes, zona qëndrore dhe jugore e vendit ishin ende nën efektin e frontit të lagësht dhe temperaturat në kuotat e larta ishin ende relativisht të larta; thënë ndryshe, ajri i ftohtë ende nuk kishte hyrë. Zonat e para të vendit tonë që u prekën ishin ato veriore dhe bregu verior i detit Adriatik. Ajri i ftohtë depërtoi në Ultësirën Perëndimore nga deti, duke kontrastuar në këtë mënyrë me rrymat e lagështa që ende ishin prezente. 

Me depërtimin e ajrit të ftohtë në perëndim kolona e ajrit ishte optimale për reshje bore deri në nivelin e detit. Gjeografia, pra efekti i detit sigurisht ishte gjithashtu në favor të eventit historik të borës në bregdet duke intensifikuar reshjet dhe duke lënë shteg për një shtresë bore të konsiderueshme në qytetin e Durrësit dhe zona të tjera bregdetare në perëndim të vendit.

Pas depërtimit të rrymave të ftohta edhe në zonën qëndrore të vendit, reshjet e organizuara i kishin lenë vendin reshjeve të dobëta koreografike. Ishte pikërisht atëhere, më saktë rreth mesnatës, ku edhe në Tiranë pati reshje të lehta bore që zgjatën vetëm pak minuta. Orët e para të mëngjesit të së premtes reshjet u larguan nga zona perëndimore e vendit.

Mëngjesin e sotëm temperaturat kanë zbritur në vlera negative në të gjithë territorin e vendit. Në qytetin e Tiranës u regjistrua vlera minimale -5.8°C. Me përjashtim të zonave bregdetare, temperaturat do të mbeten në vlera negative edhe në vlerat e tyre maksimale.Dita e sotshme do të shënojë pikun e kësaj vale të të ftohtit që ka pushtuar vendin, të paktën në kuotë.  
 
Qendra e presionit të ulët është larguar gradualisht drejt Detit të Zi dhe duke filluar nga Ultësira Perëndimore, vranësirat do t'i lenë vendin kthjellimeve, falë të cilave mëngjesin e së dielës vlerat minimale priten të jenë edhe më të ulta.
 
 

 

Burimi: MeteoTirana 

 

© 2017 MeteoTirana

 

 

05/01/2017

 

E shkurtër por intensive: do të jetë vala e parë e të ftohtit për vitin 2017. Spostimi i Anticiklonit Atlantik në lartësi veriore ka shkaktuar një lëvizje të rrymave të akullta me origjinë arktiko/kontinentale në drejtim të kontinentit Europian.

Ballkani do të jetë objektivi kryesor i kësaj rryme të ftohtë që do të ndikojë kushtet meteorologjike deri në mes të javës së ardhshme. Një qendër e presionit të ulët e pozicionuar fillimisht mbi detin Jon dhe Italinë Jugore do të lëvizë gradualisht në drejtim të lindjes duke sjellë mot të paqëndrueshëm fillimisht gjatë ditës së sotme dhe më pas uljen të fortë të temperaturave që do të na shoqërojë për disa ditë. 



Reshjet do të bien kryesisht gjatë mesditës dhe pasdites së sotme në të gjithë vendin. Në zonat malore, fillimisht në veri dhe më pas në jug, reshjet do të jenë në formë bore. Duke filluar nga mbrëmja e sotme rrymat e ftohta do të prekin vendin tonë, shoqëruar me rënie të ndjeshme të temperaturave dhe intensifikim të reshjeve, të cilat gjatë orëve të natës dhe atyre të para të mëngjesit mund të bien në formë bore edhe në zonat e ulta të vendit, duke përfshirë ndoshta edhe kryeqytetin.

Gjatë ditës së premte reshjet do të jenë prezente vetëm ne pjesën jugore dhe lindore të vendit; ato do të bien në formë bore edhe ne zonat e ulta. Pjesa tjetër e vendit do të jetë nën mot të vranët.

Temperaturat do të pësojnë rënie drastike deri me 15°C. Piku i të ftohtit do të arrihet ditën e shtunë kur vlerat minimale do të zbresin në vlera negative në të gjithë territorin e vendit. Mëngjesin e të dielës temperaturat do të zbresin deri në -7°C në bregdet, -11°C në zonat e ulta dhe nën -20°C në zonat malore.

Lëvizja e qendrës së presionit të ulët drejt lindjes do të sjellë gjatë fillimit të javës së ardhshme përmirësim të kushteve atmosferike dhe rritje graduale të temperaturave që gjithsesi do të mbeten në vlera nën mesataren klimaterike.

 

Burimi: MeteoTirana dhe MeteoNetwork.it

 

© 2017 MeteoTirana